Një ndër banorët më të pëlqyer të spektaklit “Big Brother Albania 3” ka qenë edhe shqiptari i Kosovës Haki Kika. Dalja e tij pak javë përpara se të mbaronte spektakli më i ndjekur në Shqipëri ngjalli debat si diçka e padrejtë, jo vetëm në biseda tavolinash, por edhe në mediat e shkruara që pasqyronin hap pas hapi këtë show. Edhe atij nuk i është dukur i drejtë eliminimi para kohe dhe madje këtë e ka shprehur hapur edhe gjatë transmetimeve të ndryshme televizive. Por, tashmë gjithçka ka mbaruar dhe ai është kthyer në Kosovë. Ka vazhduar rrjedhën normale të jetës, duke marrë me vete, vetëm kujtimet e bukura që BB3 i ka dhuruar. “Unë kam përfaqësuar gjatë gjithë kohës, spontanitetin, lojën e pastër, thjeshtësinë dhe mbi të gjitha reagimin real ndaj situatave të krijuara brenda në shtëpi”, thekson ndër të tjera Kika gjatë intervistës dhënë për Game Over. Por a ka marrë ai ndonjë ofertë tunduese për punë dhe sa transparent e cilëson ai formatin e BB3?
Keni qenë një ndër banorët më të preferuar të audiencës shqiptare. Si fillim dëshirojmë t’u pyesim, cilët janë kujtimet më të bukura që keni marrë me vete në Kosovë?
Ka shumë kujtime të bukura nga eksperienca ime në “Big Brother 3”. Kujtoj shpesh shtëpinë e vjetër, kur mundohesha të ndizja zjarrin dhe duart më bëheshin plot me shenja nga të djegurat. Gjithashtu do të veçoja edhe provat e javës, të cilat kanë qenë shumë interesante, sepse me disa prej atyre provave jam ndeshur për herë të parë dhe secila prej tyre të dhuronte sadisfaksionin e saj.
Duam t’u bëjmë një pyetje që nuk është kursyer edhe për ish banorët e tjerë. Do ta përsërisnit sërish këtë eksperiencë nëse do u jepej mundësia?
Jo, sepse nuk më pëlqen që t’i përsëris gjërat. Mendoj se nuk do të ishte aq interesante sa eksperienca e parë, ndaj i lë me kaq gjërat.
Sipas jush çfarë ka vlerësuar më shumë publiku tek ju?
Kam përfaqësuar gjatë gjithë kohës, spontanitetin, lojën e pastër, thjeshtësinë dhe mbi të gjitha reagimin real ndaj situatave të krijuara brenda në shtëpi. Pra, kanë vlerësuar atë çfarë unë kam përfaqësuar.
Me cilin prej banorëve të “Big Brother 3” do të vazhdoni t’i ruani marrëdhëniet që keni krijuar?
Unë jam i hapur për të gjithë. Vazhdoj të ruaj miqësi pothuajse me pjesën më të madhe të banorëve.
Dëshironi që të na flisni pak për këtë spektakël. Qoftë edhe për transparencën e tij?
Big Brother është një format i tillë që nuk është e thënë të jetë transparent, madje duket që John de Mol, ka lënë pak vend për transparencë, ose kjo është përshtypja ime nga eksperienca që pata.
Atëherë, çfarë mendoni se fituat nga kjo eksperiencë?
Famë.
Mendoni se keni humbur diçka?
Privatësinë.
Ka patur raste që jeni penduar për pjesëmarrjen tuaj në BB3?
Jo. Unë gjatë gjithë kohës jam munduar që të shoh anën më të mirë të këtij reality show dhe përpara së të futesha brenda i kisha llogaritur të gjitha gjërat. Pra, dua të them që i kam marrë në konsideratë edhe “pasojat” e mundshme.
Tashmë që gjithçka ka mbaruar, u ka ardhur ndonjë ofertë pune Kika?
Po, ka oferta nga kompani të ndryshme, madje shumë interesante, por për momentin akoma nuk kam vendosur.
Nëse do t’ju ofronin punë në Tiranë, do ta “braktisnit” Kosovën, qoftë edhe për një periudhë kohe?
Sot dy metropolet tona Tirana dhe Prishtina janë më afër se kurrë, prandaj edhe po të filloja një punë në Tiranë, nuk do të thotë që do ta “braktis” Prishtinën.
Cili është komenti më i veçantë që keni marrë pas daljes tuaj nga shtëpia e “Big Brother 3”?
“Je më i miri i të tre edicioneve”.
Negativ ka pasur?
“Kika në fund të spektaklit u bë pjesë e grupit të ndrikullave” (qesh). Unë kurrë nuk kam qenë pjesë e ndonjë grupi në shtëpi. Gjatë gjithë kohës kam vepruar vetë dhe sipas kokës sime.
Jeni kthyer në Kosovë. Si po shkon jeta juaj tashmë, pas gjithë famës dhe simpatisë që keni krijuar te publiku?
Interesante dhe me plot komplikime, por gradualisht po rehabilitohem. Është goxha e vështirë, por do t’ia dal.