Beograd, 20 tetor – Komandanti i ri KFOR-it, Erhard Buhler, në një intervistë për të përditshmen e Beogradit “Veçernje Novosti”, të cilën e ka publikuar sot, ka thënë se do të reagojmë me vendosmëri kundër secilit që kërcënon sigurinë. Në Veri do të vendosim qetësinë qoftë edhe me forcë.
Detyra e KFOR-it është të garantojë mjedis të sigurt e të qetë në Kosovë, meqë është në interesin e të gjithë qytetarëve që të jetojnë në qetësi. Prandaj, KFOR-i nuk do të tolerojë dhunë dhe përdorim armësh. Në Veri të Kosovës disa mendojnë se mund të bëjnë çfarë t’ua thotë qejfi, se atje ku nuk funksionin ligji e rendi nuk ka siguri. Kjo nuk do të lejohet, ka thënë gjenerali gjerman Erhard Buhler në intervistën dhënë “Novostit”.
Në intervistën e parë për mediat serbe, Buhler situatën në Kosovë e vlerëson stabile, por tërheq vërejtjen se qytetarët në Veri janë të frikësuar për shkak të përdorimit të mjeteve shpërthyese, granatave të dorës dhe armëve të zjarrit që përdorën madje edhe natën.
Në pyetjen se trazirat ndodhin sa herë që ka përpjekje për të imponuar zgjidhje nga Prishtina, Buhler është përgjigjur se çdokush do të më jap të drejtë të them se qëllimet politike nuk mund të imponohen me forcë, por unë nuk jam politikan, jam kompetent për të garantuar siguri sipas Rezolutës së KB. E siguria vlen për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike. Sipas bindjeve të mia, zgjidhjet duhet të gjenden politikisht dhe me konsensus të ndërsjellë. Detyrat e KFOR-it është të mbrojë të gjithë, pra edhe qytetarët serbë, dhe jo vetëm në pjesën Veriore të Kosovës.
Rreth shkyçjes së lidhjeve telefonike në jug të Ibrit, Buhler sqaroi se kjo nuk është çështje për KFOR-in. E di se tash e një kohë të gjatë po bën përpjekje për të gjetur një zgjidhje, dhe mendimi im është se banorët në pjesën jugore të Kosovës janë pajtuar me situatën dhe kanë gjetur mundësi të tjera teknike.
“Novosti” i tha gjeneralit Buhler se përfaqësuesit e Ministrisë për Kosovën kanë arritur me ju marrëveshje për të forcuar aktivitetin rreth pengimit të krimit, porse KFOR-i ka tejkaluar autorizimet dhe se me prani të forcuar po tremb qytetarët. Ky, ndërkaq u përgjigj se përgjegjësitë e KFOR-it janë të përshkruara me Rezolutën 1244. Do të reagojmë kundër çdokujt që rrezikon sigurinë. Këto kompetenca nuk do t’i tejkaloj, por do t’i shfrytëzoj deri në fund. E sa i përket frikësimit, nëse ia kemi dalë t’i frikësojmë kriminelët që nuk duan rend e qetësi, atëherë ia kemi arritur qëllimit.
Rreth bartjes së kompetencave nga KFOR-i në Policinë e Kosovës për sigurimin e monumenteve ortodokse në Kosovë, gjenerali Buhler sqaroi se forcat e NATO-s, derisa të jenë aty, do të kujdesen për sigurinë e vlerave fetare e kulturore. Mendoj se gjendja e sigurisë është në një shkallë mjaft të lartë, sa hap pas hapi të mund të bartim kompetencat në Policinë e Kosovës. Këtë mund ta shihni në Graçanicë, ku një patrullë e vogël policore mbikëqyrë Manastirin. Unë jam optimist i madh, besoj se gjithë banorët e Kosovës janë të ndërgjegjshëm se kjo trashëgimi me vlerë kulturore nuk u takon vetëm atyre, por të gjithë njerëzve të Evropës e botës dhe se ata janë përgjegjës për to.
Ai nuk ka dashur ta zbardhë planin konkret të bartjes së kompetencave në Policinë e Kosovës. Por ka thënë se plani mbështetet në atë që ne përcjellim gjendjen e sigurisë për secilin objekt veç e veç, e pastaj e vlerësojmë se çfarë masash janë të nevojshme. Shpesh harrohet se, me gjithë bartjen e kompetencave në polici, KFOR-i edhe më tutje është përgjegjës për këto objekte.
Në ndërhyrjen e “Novostit”për nismën e zyrtarëve të lartë rusë për formimin e një fondacioni sipas të cilit agjenci private ndërkombëtare do të ruanin kishat e manastiret serbe, Buhler tha se kishte lexuar për këtë, porse nuk i dinte hollësitë. Mendoj se nuk ka nevojë për kurrfarë mbrojtje jashtë qarqeve të KFOR-it. Kjo vetëkupton edhe pjesëmarrjen e forcave të tjera.
Buhler po ashtu ka pohuar se NATO nuk ka marrë ende kurrfarë vendimi për pakësimin e forcave. Aktualisht kemi 10 mijë ushtarë, dhe mendoj se çdo gjë është pjekur që të ndërmerret hapi i ardhshëm i pakësimit. KFOR-i edhe me numër më të vogël ushtarësh do të jetë në gjendje të kryejë detyrat e veta të përditshme. Tash kemi nevojë për një strukturë të re që do të na bëjë më të lëvizshëm. Në këtë drejtim po punojmë tash e një kohë të gjatë. Planet janë përpunuar mirë dhe do t’ia dalim me të gjithë njerëzit paqedashës të Ballkanit.