Prishtinë, 18 nëntor - Koha e shkurtër e organizimit nuk do t’i lërë zgjedhjet e 12 nëntorit pa vëzhgues, të paktën jo në sasi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Dy misione vëzhguesish njëri ndërkombëtar i udhëhequr nga “Enemo”, organizatë evropiane për monitorimin e zgjedhjeve, dhe një vendës i përbërë nga një koalicion i organizatave vendëse, do të mundësojnë që zgjedhjet e parakohshme të 12 dhjetorit të jenë të monitoruara nga mekanizmat e njëjtë sikur se zgjedhjet lokale të vitit 2009.
Koha e shkurtër për organizimin e zgjedhjeve ka bërë që faktori ndërkombëtar të ketë një “qasje emergjente”. Ambasadat e shteteve më të fuqishme që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë duke u konsultuar me Zyrën e përfaqësuesit të BE-së, Pieter Feith, në mënyrë që të krijohet një mision i koordinuar diplomatik vëzhgues dhe mbikëqyrës i zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë, është konfirmuar se me qëllim të evoluimit politik të procesit zgjedhor, gjatë zgjedhjeve në Kosovë do të qëndrojë edhe një ekip i parlamentarëve evropianë, i kryesuar nga kryesuesi i Delegacionit për marrëdhënie me vendet e Evropës Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan.
“Komuniteti ndërkombëtar në Prishtinë është duke bashkëpunuar me Zyrën e përfaqësuesit të BE-së për një mbikëqyrje të koordinuar diplomatike të zgjedhjeve që do të ketë ekipe prezente në të gjitha fazat e procesit elektoral gjithandej Kosovës në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Julia Reuter, zëdhënëse e zyrës së PSBE-së.
Sipas saj, gjatë procesit elektoral BE-së do të zbarkojë në Kosovë edhe një ekip ekspertësh të zgjedhjeve, të cilët do të ndihmojnë procesin, duke e analizuar atë dhe duke dhënë sugjerime.
“Ne gjithashtu presim anëtarë të Parlamentit Evropian dhe të parlamenteve nacionale që t`u bashkohen përpjekjeve për vëzhgimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve. Momentalisht me shtetet anëtare të BE-së në Prishtinë, janë duke u diskutuar edhe aranzhimet e tjera të mundshme për këtë proces, konsultimet po vazhdojnë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe me institucionet e Kosovës”, ka shpjeguar Reuter.
Të dyja ekipet e tjera vëzhguese, ai ndërkombëtar i “Enemo”-s dhe ai vendës i organizatave vendëse, janë koordinuar nga Zyra e NDI-së (National Democratic Institute), në Kosovë.
“Që të dy këta mekanizma kanë përfituar nga përvojat paraprake në projektet e monitorimit të zgjedhjeve në Kosovë, duke u nisur nga ato të para një vitit. Kjo nënkupton se ato i kanë të njohura procedurat dhe i kanë mundësitë që shpejt të angazhojnë vullnetarët dhe punonjësit e duhur”, ka thënë për “Kohën Ditore”, drejtoresha e NDI-së për Kosovë Laura Nichols.
Sipas saj, misioni ndërkombëtar i vëzhguesve do të udhëhiqet nga një rrjet i specializuar për monitorime.
“Misioni ndërkombëtar do të udhëhiqet nga Enemo. Enemo është një rrjet i njohur i organizatave joqeveritare me profil të lartë nga Evropa”, ka thënë Nichols.
Ismet kryeziu, drejtor i KDI-së, ka thënë se rrjeti i organizatave vendëse do të ketë rreth 4 mijë e 800 vëzhgues.
“Demokracia në Veprim në kuadër të kooalicionit të saj ka rreth 60 OJQ lokale nga e tërë Kosova. Monitorimin e zgjedhjeve parlamentare t vitit 2010 e kemi ndarë në tre komponentë ku përfshihen: monitorimi i situatës paraelektorale, monitorimi i ditës së zgjedhjeve dhe monitorimin e situatës paselektorale. Tani kemi ndërtuar strategjinë e monitorimit për situatën paraelektorale dhe fushatën zgjedhore do të kemi 70 vëzhgues, për monitorimin e kostos financiare do të kemi 70 vëzhgues dhe për monitorimin e ditës së zgjedhjeve do të kemi 4.800 vëzhgues”, ka thënë Kryeziu.
Drejtori i KDI-së nuk ka mundur që t`i përmendte mbështetësit financiarë të këtij vëzhgimi.
“Ne ende nuk mund të japim konkretisht emrat e donatorëve konkrete por këtë do ta bëjmë se shpejti ndoshta deri në fund të kësaj jave|, ka thënë Kryeziu.
Sipas tij, koha e shkurtër e organizimit të zgjedhjeve nuk do të ketë ndikim në kualitetin e monitorimit për shkak të traditës që tashmë kanë krijuar këto ekipe vëzhguesish. “Kualiteti të cilin ne e ofrojmë si koalicion i organizatave nuk dallon. Do të jetë një numër i madh i organizatave dhe i vëzhguesve të përfshirë. Ajo në çka ndikon koha e shkurtër deri në zgjedhje është nevoja për një përkushtim më të madh për të mundur që të arrijmë numrin e nevojshëm, marrë parasysh që për herë të parë një koalicion i organizatave vendëse do të ketë një numër kaq të madh të vëzhguesve”, ka thënë Kryeziu.