Fakte të reja për monarkinë Shqiptare
Me rastin e 80-vjetorit të monarkisë shqiptare dhe në kuadër të rishikimit të historisë për herë të parë pas 69 vjetësh, institucionet shqiptare, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë do të organizojnë më 1 shtator Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë, "Monarkia shqiptare 1928-1939". Konferenca në fjalë synon të hedhë dritë mbi këtë periudhë ende të panjohur të shtetit dhe historisë shqiptare. Do të referojnë në këtë konferencë rreth 21 historianë e studiues, të huaj dhe vendas, si dhe do të ketë aktivitete të ndryshme kushtuar kësaj periudhe shumë të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar. Beqir Meta, historian, tregon se prej 18 vjetësh kanë nisur përpjekjet e institucioneve drejt reformimit dhe shkëputjes nga ngërçet e periudhës komuniste. "Pikërisht kjo është edhe një nga detyrat e historiografisë. Ajo tashmë ka mbërritur në një nivel të caktuar të kësaj reforme, një reformë e cila nuk ka nisur sot e në vazhdën e këtij procesi të gjatë ne jemi në përpjekje për të arritur në konkluzionet shkencore", thotë Beqir Meta. Sipas tij, duke qenë se ne vijmë nga një sistem komunist, ku presioni ka qenë shumë i madh, diktati dhe ndërhyrja e politikës edhe në histori ka qenë shumë e fortë. "Në këtë përvjetor ne jemi përpjekur ta sjellim këtë pjesë të historisë të pasqyruar me fakte të reja, bazuar në argumenta shkencore mjaft serioze. Gjatë gjithë këtyre viteve është punuar për të arritur në të tilla përfundime", shprehet Meta. Historiani nuk e mohon faktin se gjatë këtyre viteve të fundit janë nxjerrë në dritë botime dhe fakte mjaft serioze në lidhje me monarkinë, periudhën në të cilën qeverisi Mbreti Zog, por sipas tij, në vëllimin e tretë të Historisë së Shqipërisë, botuar më 2007-ën, ka disa dobësi thelbësore në disa drejtime. "Në këtë botim, ka probleme për sa i përket metodologjisë. Nuk janë përdorur metodat e reja shkencore, të cilat përdoren në historiografinë e sotme, si dhe nuk janë përdorur metoda objektive shkencore krahasuese. Fenomenet nuk janë krahasuar në mënyrë serioze për sa u përket periudhave para dhe pas monarkisë. Për shembull, varfëria e vendit në atë kohë nuk është krahasuar me atë të vendeve fqinje, apo me periudhën se si ka qenë para monarkisë, sepse edhe ekonomia ka parametrat e saj, ashtu si edhe jeta sociale. Në botimin në fjalë, të gjitha këto fenomene shfaqen sikur të kenë ndodhur vetëm gjatë viteve të monarkisë", vazhdon më tej ai. Beqir Meta ngulmon se sistemi politik i Mbretit Zog, në historinë e Shqipërisë, nuk është paraqitur me vërtetësinë e kohës. Nuk është arritur atje ku duhet, pasi nuk janë përdorur metodat krahasuese. "Mbreti Zog ka bërë reforma të jashtëzakonshme në fushën e ekonomisë, siç është reforma në sistemin tatimor. Pra ka ende shumë për të thënë. Ai duhet të marrë meritat për çfarë i ka dhënë këtij vendi, duhet të flitet për këto, ashtu siç duhet të flitet edhe për dështimet e tij. Ne gjatë konferencës do të sjellim fakte dhe studime të reja. Kemi teza dhe argumenta të rëndësishme shkencore që studiuesit e fushave të ndryshme kanë nxjerrë në dritë gjatë përpjekjeve të tyre studimore. Të gjithë këto studime do të reflektohen në një botim të ri historik, i cili do të publikohet në Shqipëri, Francë e Angli. Unë jam i mendimit se botimi në fjalë do mund të jetë në duart e të interesuarve ndoshta pas katër vjetësh", tregon Meta. Botimi në fjalë do të reflektojë botëkuptimin e ri në historiografi. Ai do të sjellë metodat e reja studimore e krahasuese, do të reflektojë mbi të gjitha hapjen e arkivave, duke u dhënë mundësi të gjithëve të kenë informacionin e duhur mbi bazën e burimeve shkencore historike. Kështu duket se të gjitha mungesat në botimin aktual do të zëvendësohen me këtë botim të ri. Gjithashtu një tjetër e re në këtë botim mbi monarkinë është se do të përfshihen të gjithë autorët dhe pikëpamjet e tyre mbi këtë periudhë të historisë shqiptare, ku nuk do të mungojnë as autorët e periudhës komuniste, të cilët do të vihen përballë studimeve dhe të dhënave të reja të autorëve të këtyre 20 viteve të fundit. Studiuesit tashmë janë në tratativat për fondin, i cili do të ndihmojë në publikimin e studimit, që do të jetë me vlera jo vetëm për opinionin publik, por edhe për interesat e vendit. Përveç periudhës së mbretërisë, vend të veçantë do të zërë edhe historia e Shqipërisë në shekullin XX në përgjithësi.