Paris, 1 dhjetor - Argjentinasi Lionel Messi ka fituar "Topin e Artë" që i jepet futbollistët më të mirë të vitit në Evropë, pasi ka pasur një edicion fantastik me skuadrën e Barcelonës. Messi është bërë futbollisti i gjashtë nga ekipi i Barcelonës që ka marrë këtë shpërblim, ndërsa i pari prej vitit 2005 pasi këtë vit së fundit nga katalanasit u pat nderuar braziliani Ronaldihno. Messi 22-vjeçar njëherit edhe është bërë futbollisti më i ri që ka pranuar këtë çmim në tetë vjetët e fundit, pasi këtë rekord deri më tash e ka mbajtur sulmuesi i Manchester Unitedit, Michael Owen. Ky i fundit në vitin 2001 pati marrë këtë çmim dhe atëbotë kishte 21-vjeç. Messi kësaj here ka mposhtur fituesin e vitit të shkuar, mesfushorin e Real Madridit, Cristiano Ronaldon që u rendit i dyti, ndërsa mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez ka mbetur në vendin e tretë. Messi edicionin e shkuar me BArcelonën ka fituar tre trofe shumë të rëndësishëm: titullin në Primera Division, Ligën e Kampionëve dhe Copa del Rey.
Ai gjithsejt ka marrë 477 pikë prej 480 sa ishin të mundshme, duke lënë pas vetes Ronaldon me 233 sosh dhe Xavin me 170 pikë.
"Nëse tregohem i sinqertë, e kam ditur se jam njëri ndër favoritët kryesor sepse Barcelona ka patur një edicion superior gjatë vitit 2009", ka deklaruar Messi për revistën franceze "L'Equipe". "Mirëpo, nuk kam pritur të fitojë kaq bindshëm. 'Topi i Artë' është një shpërblim shumë i rëndësishëm për mua. Të gjithë futbollistët që e kanë fituar deri më tani kanë qenë madhështorë, ndërsa disa të tjerë ende nuk e kanë përjetuar një gjë të tillë".
Messi është futbollisti i parë nga Argjentina që e ka fituar këtë shpërblim, ndërsa në edicionin e shkuar ishte shënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve me nëntë gola të shënuara.
Skuadra e Barcelonës në mesin e pesë të parëve në listën për "Ballon d'Or" pati katër futbollistë, krahas Messit e Xavit ishin edhe Andres Iniesta dhe Samuel Eto'o. Ky i fundit gjatë verës u transferuar te skuadra italiane Inter. Messi ishte ndër futbollistët kryesor të Barcelonës në suksesin e edicionit të shkuar, duke regjistruar 38 gola në 51 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat. Ai vitin tjetër, me Përfaqësuesen e Argjentinës do të luajë në Kampionatin Botëror "Afrika e Jugut 2010", ndërsa muaj më parë rinovoi kontratën me Barcelonën deri në qershorin e vitit 2016. Në bazë të kontratës së re klauzola e lirimit të Messit është hiq më pak se 250 milionë euro për skuadrat e interesuara në shërbimet e tij. Në edicionin e sapofilluar Messi deri më tani ka shënuar nëntë gola.
"Nuk do të jetë lehtë të konfirmojmë dhe përsëritim një edicion sikurse ai i shkuari", ka thënë Messi. "Shpresojë që këtë edicion të arrijë të njëjtat standarde. Por, të fitojë dy herë rresht këtë çmim nuk do të jetë aspak një gjë e lehtë për mua".
Sulmuesi 1.69 metra dhe 67 kilogramësh karrierën e ka nisur në vitin 1995 te skuadra argjentinas Newell's Old Boys, por në vitin 2000 i është bashkuar ekipit U-14 të Barcelonës pati kishte ardhur në shërim në këtë qytet dhe katalanasit patën paguar gjithë mjekimin e tij. Ai në vitin 2006 ishte pjesë e Argjentinës në Kampionatin Botëror të mbajtur në Gjermani, ndërsa dy vjet më vonë fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Beijingut.
Çmimi "Ballon d'Or" është vendosur nga një sondazh i gazetarëve të futbollit, të cilët e kanë përpiluar një listë prej 30 futbollistëve.
Messi zyrtarisht këtë çmim do ta marrë të dielën (6 dhjetor) në një mbrëmje gala që organizohet nga revista "France Football" në qytetin e Parisit.
B O X ********
1. Lionel Messi (Barcelona) 473 pikë
2. Cristiano Ronaldo (Real Madrid) 233
3. Xavi Hernandez (Barcelona) 170
4. Andres Iniesta (Barcelona) 149
5. Samuel Eto'o (Inter) 75
6. Leite Kaka (Real Madrid) 58
7. Zlatan Ibrahimoviq (BArcelona) 50
8. Wayne Rooney (Man. Utd) 35
9. Didier Drogba (Chelsea) 33
10. Steven Gerrard (Liverpool) 32
Faleminderit për rekomandimin