Prishtinë, 26 maj –Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Behar Selimi, ndihet i shqetësuar, por edhe i pafuqishëm për të ndaluar zyrtarët serbë që të futen në Kosovë, përkatësisht në veriun e Mitrovicës. Sipas tij, është EULEX-i që po i lejon ata të kalojnë pa u kontrolluar fare dhe këtë punë e quan “absolutisht jopolicore”. Në një intervistë për ‘Kohën Ditore’, të cilën e boton sot, Selimi ka deklaruar se ka kërkuar dy herë nga EULEX-i që të marrin masa, mirëpo ende nuk ka marrë një përgjigje. Sipas tij, politikanët serbë dhe sigurimi i tyre i armatosur, jo që nuk janë kontrolluar, por as që janë ndalur në pikën kufitare në Jarinje. “Kolegët e EULEX-it mendojnë se kjo është mënyra më e mirë për të filluar një lloj mbikëqyrje të lëvizjeve atje. Dihet mirëfilli që atje akoma administrata ndërkombëtare ka një lloj ndikimi dhe kolegët e EULEX-i i dakordojnë qëndrimet edhe me administratën e ICO-së, prandaj në aspektin policor kjo s’ka kuptim, nëse ka kuptim në ndonjë aspekt tjetër, atëherë kjo është çështje tjetër”, ka thënë Selimi. Ai po ashtu ka deklaruar se në pikat kufitare në veri janë të vendosura kamera, si dhe sistemi i regjistrimit të hyrje-daljeve, mirëpo këtyre rregullave nuk u nënshtrohen edhe shtetasit e Serbisë.
“Në mënyrë selektive, sipas një dakordimi me EULEX-in, bëhet regjistrimi, disa regjistrohen disa jo, kjo është si një fazë fillestare e regjistrimit të të huajve që hyjnë në territorin e Kosovës. Për të qenë më i qartë, sipas informacioneve që i kam nga EULEX-i, çdo kush që është shtetas i huaj, por që nuk vjen nga Republika e Serbisë, atëherë regjistrohet si i huaj. Shtetasit e Republikës së Serbisë vazhdojnë vetëm të kontrollohen por jo edhe të regjistrohen”, ka theksuar Selimi.
Ai duket mjaft i shqetësuar për hyrjen e personave të armatosur dhe për këtë, ka vendosur të marrë masa ndaj policëve kosovarë në veri. Sipas tij, megjithëse ata nuk i përgjigjen drejtpërsëdrejti zinxhirit komandues të PK-së, ata megjithatë administrohen nga PK-ja dhe marrin rrogë nga ky institucion.
“Për këtë çështje kemi ngritur shqetësimin tonë te kolegët tanë të EULEX-it, sepse, siç e dini, ata vazhdojnë ta kenë të gjithë autoritetin ekzekutiv në këto pika, sikundër edhe i kemi nisur disa procedura administrative për policët tanë që veprojnë atje”, ka thënë Selimi. Sipas tij, ndaj policëve të komunitetit serb do të merren masa disiplinore për mosreagim me rastin e futjes së personave të armatosur nga Serbia. “Ata janë të komunitetit serb, natyrisht ata akoma nuk i përgjigjen zinxhirit komandues por megjithatë ata administrohen nga ne, ata financohen nga ne dhe ata duhet të sillen sipas parimeve profesionale policore”, ka theksuar ai.
Sipas tij, Policia e Kosovës për 6 muaj po përpiqet ta forcojë nivelin e kontrollit nëpër pikat kufitare në veri, sikundër edhe në vijën e gjelbër, ku janë caktuar dy togje patrulluese, kryesisht të komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera, por ende nuk ka shqiptarë, togje këto që ende nuk e mbulojnë të gjithë vijën e gjelbër. Në kuadër të forcimit të rendit dhe ligjit në veri, duke përfshirë kontrollin e pikave në Jarinje dhe Bërnjarë, po ashtu është hapur edhe një zyrë për kompanitë e sigurimeve që do të siguronin veturat që hyjnë në Kosovë, zyrë kjo që është hedhur në erë të martën në orët e hershme të mëngjesit.
“Një prej masave ka qenë edhe vendosja e kompanive të sigurimit për të regjistruar automjetet e huaja që futen në territorin tonë dhe duhet të paguajnë sigurimin, taksën dhe ky i fundit, (sulmi), ka qenë si reagim ndaj një shtëpize që ka qenë e një kompanie të sigurimit të automjeteve me pronarë të komunitetit serb”, është shprehur Selimi.