Uashington, 28 maj - Nëse qeveria dëshiron të arrijë objektivin e saj, që është begatia e vendit dhe njohje më të shumta ndërkombëtare, ajo duhet të marrë rolin kryesor në luftën kundër korrupsionit, i tha Radios “Zëri i Amerikës”, David Phillips. Sipas tij,
EULEX- i është treguar i paaftë në luftën kundër korrupsionit në Kosovë. Në një studim të përgatitur kohët e fundit në emër të organizatës Këshilli Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane, zoti Phillips rekomandon që EULEX-i të reformohet. Por ai thotë gjithashtu se barra kryesore për të luftuar korrupsionin bie mbi qeverinë e Kosovës.
David Phillips, analisti dhe njohësi i mirë i rrethanave në Kosovë, dhe përgjithësisht në Europën Juglindore, i cili në një studim të tij thekson se njohja e Kosovës në kufijtë e tanishëm është me rëndësi të dorës së parë, i pyetur nga “Zëri i Amerikës” se çfarë duhet të bëjë ajo për t’u njohur më shumë, u përgjigj:
Kosova është tani vend i pavarur, është njohur nga 69 shtete. Por për të patur njohje të tjera, shqiptarët e Kosovës duhet të bëjnë më shumë. Duhet të tregojnë se janë një shtet funksional, me qeverisje të mirë, ku nuk ka korrupsion dhe që lufton krimin. Të gjithë janë të interesuar të shikojnë që Kosova të zërë vendin që i takon në tryezë, në familjen e kombeve.
Sipas tij, përfundimi i procesit në GJND është i rëndësishëm. Nuk kemi të bëjmë me gjetje faktesh apo me një vendim të detyrueshëm për t’u zbatuar. Kemi të bëjmë me një opinion të gjykatës. Pasi kjo të jetë bërë, vendet që janë në pritje mund të lëvizin dhe të marrin një vendim. Këtu desha të shtoja diçka lidhur me Mitrovicën veriore. Do të ishte gabim në qoftë se Bashkimi Evropian i jep Serbisë anëtarësimin përpara se Kosova të ketë siguruar përfundimisht tërësinë e saj, pra ku Mitrovica e Veriut të jetë nën kontrollin e autoriteteve legjitime të Kosovës. Kemi mësuar nga Qiproja se nëse dëshiron të inkurajosh ribashkimin, atëherë duhet të shfrytëzosh perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian si një mënyrë për të bindur aktorët politikë të ndërmarrin hapat e duhura. Pra duhet vepruar me shumë kujdes lidhur me anëtarësimin e Serbisë dhe në këtë aspekt duhen vendosur standarde konkrete për politikën e tyre ndaj Kosovës.
“ Ka shumë rëndësi që Beogradi ta dijë me saktësi se çfarë i kërkohet. Sepse kur ka mungesë qartësie lindin probleme diplomatike. Dhe për t’i bërë gjërat të qarta, është e nevojshme që Bashkimi Evropian apo Komisioni Evropian të vendosë kritere specifike. Kështu Beogradi do ta dijë se ç’duhet të bëjë që të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare të cilat duhet të përmbushë çdo vend anëtar i Bashkimit Evropian”, u shpreh David Phillips për “Zërin e Amerikës”.
Ky analist në një studim të tij ka rekomanduar reformimin e EULEX-it, madje sugjeroi edhe shkarkimin e Yves dë Kermabon. I pyetur se në cilat aspekte duhet të bëjë më shumë EULEX-i, David Phillips u përgjigj: EULEX-i ka një mandat shumë të qartë antikorrupsion. Natyrisht që Qeveria e Kosovës duhet të ketë këtu rolin kryesor, sepse është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të Kosovës të jenë në vijën e parë, kur është fjala për luftën kundër korrupsionit, por nëse ata nuk e bëjnë këtë, atëherëë i takon EULEX-it të plotësojë boshllëkun. Dhe deri tani EULEX-i është treguar i paaftë, roli i tij udhëheqës ka qenë joekzistent. Prandaj ose EULEX-i duhet të reformohet ose udhëheqja e tij duhet të zëvendësohet, ka thënë ai. Lajmi i mirë është se në javët e fundit duket se EULEX-i e ka marrë mesazhin qoftë nga raporti im apo nga kritikat e të tjerëve, duke marrë masa ndaj Ministrisë së Transporteve. Por ka edhe shumë gjëra të tjera që EULEX-i mund të bëjë, duke punuar në partneritet me Qeverinë e Kosovës për të eliminuar korrupsionin.
Analisti amerikan, pikëpamjet e të cilit ushtrojnë ndikim të theksuar në qarqet amerikane, i tha “Zërit të Amerikës”, se qeveria në Kosovë është e nevojshme të kuptojë se në shërbim të popullit të saj duhet të ushtrojë një qeverisje më të mirë. Pra duhet t’i identifikojë praktikat e korruptuara dhe t’i luftojë ato. Njerëzit që janë të afërt me qeverinë, të cilët janë në pozita të larta juridike, dhe që merren me antikorrupsionin duhet të zëvendësohen. Procesi i privatizimit duhet të kontrollohet nga afër. Nëse qeveria dëshiron të arrijë objektivin e saj, që është begatia e vendit dhe njohje më të shumta ndërkombëtare, ajo duhet të marrë rolin kryesor në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni në Kosovë është i përhapur edhe në nivelin lokal. Por udhëheqësit politikë duhet të japin shembullin, është shprehur për këtë medium, Davide Phillips.