Prokurorët, gjyqtarët dhe policët kosovarë duhet të merren seriozisht edhe me korrupsionin në nivel lokal, thonë zyrtarë të EULEX-it. Sipas tyre, prokurorët evropianë nuk janë në gjendje të merren me rastet për korrupsion në të gjitha nivelet.
Krahas hetimeve që po zhvillohen ndaj dhjetëra personave të nivelit, siç thuhet, të lartë zyrtarë, theksohet nevoja për shqyrtimin e rasteve për korrupsion edhe nëpër gjykata komunale. Zëdhënësja e komponentës së drejtësisë, Christina Herodes, thotë se EULEX-i nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë me korrupsionin në të gjitha nivelet.
“Kemi më pak se 20 prokurorë që, për momentin, punojnë për EULEX-in. Kjo do të thotë se nuk mund të merremi me të gjitha rastet të korrupsionit në Kosovë. Prokurorët dhe policët kosovarë duhet të merren gjithashtu me këtë problem”, thotë Herodes.
Zyrtarët e nivelit të lartë, që po hetohen nga EULEX-i, përfshijnë edhe nivelin qeveritar. Sipas mediave lokale në Kosovë, përveç hetimeve për korrupsion që, ndër të tjera, po zhvillohen ndaj njërit anëtar të kabinetit aktual qeveritar, Fatmir Limaj, prokurorët evropianë thuhet se janë duke u marrë intensivisht edhe me dy raste të tjera të të njëjtit nivel.
Hetimet për korrupsion që i zhvillon EULEX-i, sipas Herodes, janë raste më të ndjeshme që i përkasin nivelit të Gjykatave të Qarkut.
“Prokurorët e EULEX-it janë të përfshirë në hetimin e 45 rasteve të korrupsionit në nivelin e Gjykatave të Qarkut. Jemi duke hetuar në gjithë Kosovën. Ky numër është mjaft i vogël, por ne jemi duke hetuar vetëm rastet më të ndjeshme”, thekson Herodes duke e cilësuar si të domosdoshëm shtimin e angazhimeve të Prokurorisë dhe të Policisë së Kosovës në drejtim të luftës kundër korrupsionit edhe në nivel komunal.
Përmasat e korrupsionit në nivelin komunal, sipas qytetarëve në Kosovë, janë të dukshme në shumë sfera. Ryshfeti, keqpërdorimet në dhënien e tenderëve të ndryshëm, janë llojet e korrupsionit, që, sipas tyre, ekzistojnë nëpër komuna.
Autoritetet në Kosovë, ndërkaq, kanë thënë se aktualisht po zhvillohen hetime ndaj 111 zyrtarëve, përfshirë Qeverinë aktuale dhe ato paraprake, si raste të dyshuara për korrupsion. Një numër i madh i këtyre rasteve, thuhet të jenë kryesisht në kompetencë të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë.
Mirëpo, i kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, heziton të komentojë punën e institucionit që ai udhëheq, kur bëhet fjalë për rastet e korrupsionit në nivel lokal. Përfaqësues të Policisë së Kosovës, ndërkaq, e cilësojnë si të mirë bashkëpunimin me prokurorët vendas lidhur me hetimet për korrupsion dhe krim të organizuar, por theksojnë se duhet bërë përmirësime në këtë drejtim. /