[You must be registered and logged in to see this image.]Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA),
të enjten ka njoftuar se e ka pranuar kërkesën e parë të bërë nga
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), atë të mbrojtjes së klubeve dhe
lojtarëve kosovarë. Kështu, në të ardhmen,
klubet kosovare të futbollit do të përfitojnë nga transferimet e
futbollistëve të tyre në klubet e ndryshme evropiane, ndërsa leje do të
merret edhe nga FFK.
Udhëheqësit e futbollit kosovar e kanë
mbajtur një konferencë për shtyp të enjten, ku kanë treguar më
hollësisht rreth letrës së dërguar nga FIFA, e cila pa dyshim
konsiderohet si më e rëndësishmja në futbollin e pasluftës.
”Ne ju kemi njoftuar edhe më herët për kërkesat tona drejtuar FIFA-s, në
veçanti atë për mbrojtjen e klubeve dhe lojtarëve, të cilët kanë
shkuar në klubet evropiane nëpër rrugë të ndryshme të transfereve, pa
lejen e klubit dhe të FFK-së. Ndërsa, sot kam kënaqësinë që t’ju
informoj se kjo kërkesë e jona është miratuar nga ana e KE të FIFA-s
dhe ne sot kemi marrë një konfirmim me shkrim, edhe pse kishim
informatë gojore se kërkesa jonë është miratuar gjatë mbledhjes së KE
të FIFA-s në Afrikë të Jugut”, ka thënë kryetari i FFK-së, Fadil
Vokrri.
Tash e tutje, lojtarët e Kosovës do të kenë mundësi që
në mënyrë legale vetë ata dhe klubet e tyre të përfitojnë nga
transferi. Vokrri vlerëson se ky është hapi i parë që e afron FFK-në me
FIFA-n. “Ndoshta dikush mund ta quajë këtë edhe si hap historik, por
unë mendoj se hap historik do të jetë pranimi ynë i plotë në UEFA dhe
FIFA”, vazhdoi kreu i FFK-së.
Sipas tij, ky është një hap
shumë i rëndësishëm për futbollistët, klubet, FFK-në dhe në përgjithësi
për të gjithë kosovarët.
Vokrri bëri të ditur se me këtë
konfirmim e ka njoftuar edhe ministrin e MKRS-së, Lutfi Haziri, i cili
në këto momente gjendet në një vizitë zyrtare në Itali dhe ai e ka
mirëpritur këtë hap me rëndësi.
Ndërkaq, këshilltari për sport
i ministrit Haziri, Muharrem Sahiti, ka përshëndetur këtë konfirmim
duke thënë se ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe kjo ka ardhur
falë punës dhe angazhimit të palodhshëm të kryetrarit Vokrri me
bashkëpunëtorë. “MKRS-ja, përveç që përshëndet këtë hap, do të
angazhohet maksimalisht që ta mbështesë FFK-në në synimet për
ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës”, tha Sahiti.
Ndërsa,
nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka
vënë në pah se me këtë konfirmim, në një farë mënyrë janë hapur dyert
për futbollin e Kosovës dhe se tash FFK-ja brenda një afati 60 ditësh
është e obliguar që, përveç nënshkrimit për kontratë me FIFA-n për
kushtet e transferimit të lojtarëve, t’i harmonizojë plotësisht aktet
normative që rregullojnë regjistrimin e klubeve, kalimin e lojtarëve dhe
statusin e tyre.