Zhvillimet e fundit politike në vend pas dorëheqjes së presidentit Sejdiu, dhe mundësisë së zgjedhjeve në Kosovë, kanë ngritur shqetësimin e Klubit për Politikë të Jashtme dhe Lëvizjes Fol, sipas të cilëve këto zhvillime mund të ndikojnë negativisht në procesin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Klubi për Politikë të Jashtme dhe Lëvizja Fol, në një deklaratë të përbashkët kanë mirëpritur bastisjet e nisura nga EULEX-i ndaj bartësve të institucioneve të Kosovës të dyshuar për përfshirje në krim dhe korrupsion, ndërsa kanë shprehur shqetësimin për mungesën e rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin nga EULEX-i.
Ramadan Ilazi, nga Lëvizja Fol, ka thënë të martën se vlerësimi i Fol dhe KPJ-së, sa i përket luftës së korrupsionit dhe krimit të organizuar ka pësuar ngecje, dhe për këtë ata kanë kërkuar nga EULEX-i që sa më shpejt të i publikojë rezultatet e premtuara për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Ilazi: Ka ngecje evidente në luftën kundër korrupsionit dhe krimit
(Video)
“Dy organizatat tona vlerësojnë se ka ngecje evidente në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar sidomos në luftimin e këtyre dukurive në nivelet më të larta të institucioneve publike në vend, prandaj ne i bëjmë apel EULEX-it dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës që rezultatet e premtuara ti serojnë tek qytetarët e Kosovës dhe sidomos kriminaliteti në veri të vendit të luftohet”, ka thënë Ilazi.
Ylli Hoxha, drejtor ekzekutiv i KPJ, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili rezultoi me dorëheqjen e presidentit Sejdiu, paraqet një mesazh në të cilin bëhet e qartë që në këtë vend dominon kushtetuta dhe ligjshmëria.
Sipas Hoxhës ky moment duhet të shfrytëzohet nga organet e drejtësisë që të vazhdojnë me këmbëngulje punën e tyre në trajtimin e mbi 100 dosjeve për korrupsion dhe krim të organizuar që i atribuohen Qeverisë së Kosovës dhe për këtë ai ka kërkuar nga përgjegjësit institucional që urgjentisht të largojnë nga detyre zyrtarët që keqpërdorin detyrat e tyre.
Hoxha: Kryeministri ka kapacitet të shkarkojë ministrat e vet
(Video)
“Institucionet, përgjegjësit institucional si kryeministri ka kapacitet që të shkarkoj ministrat e vet, është tani më e ditur dhe është bërë publike nga vet prokurori i EULEX-it që katër ministra të kësaj qeverie janë nën hetime, Kosova vazhdon të qeveriset me katër ministra të cilët janë nën hetime për korrupsion dhe kjo është situatë e papranueshme. Do të thotë paraqitet tek qytetari ideja se do të gjendemi të pafajshëm nuk kanë edhe aq fakte kundër meje”, ka thënë Hoxha.
Për më tepër Hoxha ka theksuar se me krijimin e situatës së re politike të pas dorëheqjes së presidentit kanë vërejtur një tendencë të devijimit nga lufta anti krim dhe korrupsion.
Hoxha: Vërehet tendencë e shfrytëzimit të krizës politike të krijuar me dorëheqjen e presidentit
(Video)
“KPJ dhe FOL vërejnë një tendencë të shfrytëzimit të krizës politike të krijuar me dorëheqjen e presidentit për devijimin dhe përqendrimin nga lufta anti krim dhe anti korrupsion në kriza politike do të thotë të qytetarëve të Kosovës. KPJ dhe FOL këtë e konsideron të papranueshme dhe e konsideron të papranueshme edhe faktin që drejtësia t’i nënshtrohet çfarëdo procesi qoftë ajo politike, zgjedhje apo çfarë do tjetër”, ka thënë Hoxha.
Ndryshe, Fol dhe KPJ kanë kërkuar nga EULEX-i që në përputhje me prioritetet e tyre të fillojnë të japin rezultatet e prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe me këtë të shërbejë si inspirim për institucionet e Kosovës për vendosjen e një shteti ligjor në Kosovë.
/A.Bekteshi /