Përderisa javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës është miratuar në lexim të dytë Ligji për prokurim publik, Qeveria e Kosovës vazhdon ta mbajë në fuqi udhëzimin administrativ, i cili parasheh që ministrat t’i nënshkruajnë kontratat më të mëdha se 10 mijë euro.
Në seancën e fundit deputetët janë përplasur sa i përket amendamentit 23 të ligjit, ndërkohë që në fund ka ‘triumfuar’ propozimi i kryetarit të Komisionit për buxhet dhe financa, Gani Koci që kontratat të mos nënshkruhet nga stafi politik, në këtë rast nga ministrat.
Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e së martës u ka kërkuar ministrave dhe zëvendësministrave që ta respektojnë udhëzimin administrativ, i cili ka hyrë në fuqi më 30 maj të këtij viti.
Thaçi: Udhëzimi administrativ të respektohet në tërësi
(Video)
“Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra, kabinet qeveritar, kërkoj nga ju që udhëzimi administrativ të respektohet plotësisht dhe në tërësi dhe ky udhëzim administrativ është në fuqi”, ka thënë Thaçi.
Qëllimi i këtij udhëzimi është që të rregullojë procedurën e nënshkrimit shtesë të kontratave publike me vlerë të mesme dhe të madhe me qëllim të sigurimit që fondet publike dhe burimet publike të përdoren në mënyrë më ekonomike dhe efikase nga të gjitha autoritetet publike në Kosovë.
Ndonëse ka kaluar ligji në Kuvend, kryeministri Thaçi ka paralajmëruar që ai projektligj do të shqyrtohet për herë të tretë.
Thaçi: Do të ketë edhe një lexim të tretë
(Video)
“Ka kaluar në parlament, do të thotë është votuar çështja e prokurimit publik javën e kaluar, por me gjasë do të ketë edhe një lexim të tretë dhe do të plotësohet me rekomandimet i e nevojshme të dërguara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Pra, udhëzimi administrativ është në fuqi”, është shprehur Thaçi.
Qëndrimi i kryeministrit karshi këtij udhëzimi administrativ vjen pak ditë pas miratimit të plotë të Ligjit për prokurim publik dhe sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, kjo është bërë me qëllim që të respektohen procedurat, derisa të fuqizohet ligji i miratuar në Kuvend.
Ai nuk e konsideron këtë si insistim të Qeverisë, por thekson se ky është rekomandim edhe i Bashkimit Evropian në Kosovë.
Krasniqi:
(Video)
“Nuk është çështje insistimi, sepse në fund të fundit është Kuvendi i Kosovës ai i cili ne duhet t’i bindemi. Janë përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian ajo që e ka propozuar këtë çështje. Nuk është në këtë moment përgjegjësi e imja ta komentojë a është e s’është në përputhje me legjislacionin evropian, është çështje e ekspertëve, është çështje e atyre që i njohin këto çështje më mirë. Por atë që mund ta konfirmojë është se është rekomandim pikërisht i përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës”, ka thënë Krasniqi në konferencën për media.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës kur u miratua Ligji për prokurimin publik, kishte dy propozime nga dy komisione të ndryshme për amendamentin 23 që rregullon këtë çështje.
Komisioni për integrime evropiane ishte pro kërkesës së Qeverisë që kontratat t’i nënshkruajnë edhe ministrat, ndërsa Komisioni për buxhet dhe financa ishte kundër kësaj, propozim i cili edhe ka marrë mbështetjen e shumicës./B.Lani/