Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë Haxhi Kamberi është bërë “mollë sherri” ndërmjet ministrit të Shëndetësisë Bujar Bukoshi dhe zëvendëskryeministrit Ramë Manaj, të cilët në mbledhjen e Qeverisë nuk kanë hezituar t’i vënë në pah dallimet e tyre brendapartiake. Derisa i pari ka njoftuar kabinetin qeveritar se e ka shkarkuar nga detyra Kamberin, i dyti ka thënë se nuk e ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë. Ndërkohë që Bukoshi nuk ka përtuar të tregojë autoritetin e tij, duke thënë se Kamberi nuk do ta ushtrojë më atë funksion.
Bukoshi ka thënë se një prej arsyeve të shkarkimit të Haxhi Kamberit është refuzimi i ushtruesit të detyrës për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës Supreme.
Bukoshi: Kam shkarkuar u.d së sekretarit të përhershëm
(Video)
“Unë sot kam marrë një vendim për ta shkarkuar ushtruesin e detyrës së sekretarit të përhershëm në ministrinë që e udhëheqi. Arsyeja ose njëra nga arsyet është refuzimi i ushtruesit të detyrës së sekretarit të përhershëm për të ekzekutuar një vendim të Gjykatës Supreme. Unë tani nuk e di dhe nuk dua ta di se kush e ka udhëzuar apo mësuar këtë zotëri të veprojë kështu, por këtë kompetencë unë jam i obliguar ta ushtrojë si obligim ndaj Gjykatës Supreme. Lënda është përcjell tek ju kryeministër, përmes sekretarit tuaj që eventualisht nëse ka nevojë për sqarime, por kjo është e drejtë e imja ekskluzive të cilën unë jam konsultuar që ushtruesin e detyrës ta shkarkojë”, ka thënë Bukoshi.
Por zëvendëskryeministrit Ramë Manaj, i cili vjen nga e njëjta parti e Bukoshit, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i ka pëlqyer vendimi i ministrit të Shëndetësisë.
Manaj ka thënë se ekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme e bën Qeveria e jo ministria.
Manaj: Ekzekutimin duhet ta bëjë Qeveria dhe jo ministria
(Video)
“Jemi këto ditë në përpjekje ta sqarojmë çështjen rreth aktgjykimit të Gjykatës Supreme që i adresohet Qeverisë së Kosovës dhe jo Ministrisë së Shëndetësisë. Zoti Bukoshi edhe ministri ka të drejtë ta shkarkojë ushtruesin e detyrës, por ekzekutimin e aktgjykimit, i cili i adresohet Qeverisë, sepse titullar në kontest ka qenë Qeveria duhet ta bëjë Qeveria e Republikës së Kosovës, por jo ministria”, ka thënë Manaj.
Bukoshi nuk është mërzitur fort me ato që i ka thënë Manaj, duke thënë e krahasuar atë që ka thënë Manaj me shprehjen e njohur “Ali Hoxha-hoxhë Alia”.
Ai është shprehur këmbëngulës në qëndrimin e tij, duke thënë se ushtruesi i detyrës nuk do ta ushtrojë më atë detyrë dhe se ai si ministër nuk e shkelë vendimin e Gjykatës Supreme.
Bukoshi: Duhet respektuar shefat
(Video)
“Po banalizohet ky diskutim. Zotëri respektoni shefat tuaj, sepse shkoni në shtëpi”, i është drejtuar Bukoshi Manajt.
Por ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke thënë se ai konteston vetëm atë që nuk është e drejtë e tij si ministër.
Manaj: Kontestuam atë që nuk është e juaja
(Video)
“Jo nuk e kontestuam atë çka është e juaja, por e kontestuam atë që nuk është e juaja”, ka thënë Manaj.
Ndërkohë, ndërhyrja e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi ka zgjedhur problemin mes bashkëpartiakëve, Manaj e Bukoshi.
Kuçi: Kryeministri ta vendos atë çështje
(Video)
“Besoj që Bukoshi do të pajtohet që të vijë në zyrën e kryeministri dhe kryeministri ta vendos atë çështje”, ka thënë Kuçi.
Detyrën e sekretarit të përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë deri tani e ka ushtruar Haxhi Kamberi, i ardhur në këtë detyrë pas shkarkimit të Ilir Tolajt nga ish- ministri i Shëndetësisë Alush Gashi. Mirëpo Gjykata Supreme ditë më para ka anuluar vendimin e Këshillit të Lartë për Emërime Publike, për shkarkimin e Ilir Tolajt nga detyra e sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, duke vendosur në favor të Tolajt, i cili e kishte paditur Qeverinë e Kosovës se i është shkëputur marrëdhënia e punës në mënyrë të parregullt./B.Lani/