Nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të ketë rritje të të ardhurave prej 50 për qind për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës, ndërkohë që do të bëhet edhe kategorimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu është shprehur të mërkurën kryeministri Hashim Thaçi pas takimit me përfaqësuesit e shoqatave të luftës, duke shprehur bindjen se Projektligji mbi statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre, do të miratohet në leximin e dytë në Kuvend.
Ai ka premtuar se Qeveria e Kosovës do të kryej obligimet e veta plotësisht në përputhje me ligjin që do të miratohet në Kuvend.
Thaçi: Qeveria do të vazhdojë t’i kryejë obligimet e veta
(Video)
“Siç e dini Qeveria ka proceduar këtë ligj në Kuvend, është bërë leximi i parë dhe nga deputetët janë dhënë rekomandimet dhe këshillat e nevojshme. Ne diskutuam për harmonizimin e angazhimeve të përbashkëta që kemi pasur për hartimin e këtij ligji të domosdoshëm për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët dhe segmentet tjera të shoqërisë që kanë pësuar nga lufta. Së shpejti do të kemi edhe leximin e dytë dhe aprovimin në Kuvendin e Kosovës me plotësimet të cilat do të dërgohen në Kuvend. Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i kryejë obligimet e veta plotësisht në përputhje me ligjin e propozuar”, ka thënë Thaçi.
Megjithatë, duke e pasur parasysh debatin që është zhvilluar në leximin e parë të këtij projektligji, pikërisht ndërmjet deputetëve të partive të koalicionit, PDK dhe LDK, miratimi i këtij projektligji duket se nuk do të jetë aq i lehtë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemaili ka lavdëruar Qeverinë për punën e bërë, ndërsa ka kërkuar nga deputetët që mos ta politizojnë miratimin e këtij ligji.
Xhemaili: Kuvendi dhe deputetët mos ta politizojnë këtë ligj
(Video)
“Siç dihet Qeveria e ka kryer obligimin dhe punën e vetë deri këtu dhe e ka dërguar këtë ligj në Kuvendin e Kosovës ku pritet që ky ligj të miratohet sa më shpejtë në Kuvendin e Kosovës ku janë bërë të gjitha përgatitjet financiare dhe buxhetore nga ana e Qeverisë. Tash është detyrë e Kuvendit të Kosovës ku ne kërkojmë nga këtu që Kuvendi dhe deputetët mos ta politizojnë këtë ligj dhe sa më shpejtë ky ligj të marrë vizën edhe nga Kuvendi i Kosovës dhe të hyjë në funksion nga 1 janari i vitit që vjen”, ka thënë Xhemaili.
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar kontributin që kanë dhënë shoqatat e luftës për hartimin e këtij projektligji, të cilin e ka cilësuar si model për të gjitha vendet e rajonit, që afirmon rregullimin një herë e përgjithmonë të statusit të invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe veteranëve të UÇK-së, por edhe të viktimave civile dhe familjeve të tyre.
Ndërsa Muharrem Xhemaili ka theksuar se ky është një ligj që në rrethanat që është Kosova i plotëson të gjitha nevojat dhe kushtet për veteranët, invalidët dhe familjarët e dëshmorëve, por edhe për viktimat civile.
Një prej përmirësimeve në këtë ligj, sipas Xhemailit, do të jetë edhe përfshirja e kategorisë së ish- pjesëtarëve të TMK-së që marrin pensione. Ai ka thënë se do të gjindet një zgjidhje që të gjithë veteranët do të gëzojnë pension, pa marrë parasysh a kanë qenë apo jo pjesëtarë të TMK-së./B.Lani/