Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe Këshilli Federal i Zvicrës kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim financiar dhe teknik, dhe ndihmë humanitare, por marrëveshja nuk parasheh edhe zgjidhjen e problemit të pensioneve të kosovarëve në Zvicër.
Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë të mërkurën në Prishtinë nga ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni dhe ambasadori zviceran në Kosovë, Lukas Beglinger.
Ministri Hyseni ka thënë se kjo marrëveshje ka të bëjë me bashkëpunim teknik, financiar dhe ndihma humanitare ndërmjet qeverive, dhe vendos kornizën ligjore të bashkëpunimit midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Helvetike të Zvicrës.
Ai ka thënë se Zvicra ka qenë një nga përkrahësit më të mëdhenj të popullit Kosovës në të gjitha fazat e shtet ndërtimit, duke shtuar se përkrahja dhe ndihma që ky vend i ka dhënë popullit të Kosovës në kohët më të vështira është e pazëvendësueshme.
Por i pyetur se nëse marrëveshja zgjidh edhe problemin e pagesës së pensioneve për kosovarët që jetojnë në Zvicër, Hyseni ka thënë se kjo çështje nuk rregullohet me këtë marrëveshje, duke shtuar se në të ardhmen do të zgjidhet edhe ai problem.
Hyseni: Të gjitha çështjet do të zgjidhen
(Video)
“Çështja e pensioneve të kosovarëve në Zvicër nuk rregullohet me këtë marrëveshje, me këtë marrëveshje rregullohet një sferë tjetër dhe ju do të keni në dispozicion shumë shpejt tekstin e marrëveshjes. Ndërkohë që çështjet tjera, unë them se ne nuk kemi çështje të pazgjidhura me Konfederatën Helvetike të Zvicrës. Mirëpo të gjitha kontestet dhe ndonjë çështje të vogël, ndonjë paqartësi do të gjejmë fuqi përmes dikastereve përkatëse të ministrive përkatëse do të gjejmë të zgjidhen të gjitha çështjet”, ka thënë ministri Hyseni.
Nga ana tjetër ambasadori zviceran në Kosovës, Lukas Beglinger ka thënë se marrëveshja e re për bashkëpunim ndërkombëtare dhe ndihmë humanitare siguron një kornizë të re ligjore për bashkëpunimin në mes të Zvicrës dhe Kosovës për implementimin e reformave politike dhe ekonomike në Kosovë.
Sipas tij, marrëveshja e zëvendëson memorandumin e mirëkuptimit, duke shtuar se Zvicra e mirëpret faktin që tani e tutje bashkëpunimi teknik dhe financiar do të bazohet në kushtet që janë pajtuar me autoritetet e Kosovës.
Beglinger ka theksuar se kjo marrëveshje nuk e rregullon edhe sigurimin social, por ka shtuar se janë duke vazhduar biseda mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Zvicrës për zgjidhjen e këtij problemi.
Beglinger: Kjo nuk marrëveshje nuk e rregullon sigurimin social
(Video)
“Programi Zviceran për bashkëpunim dhe kjo marrëveshje është e përqendruar në këtë fushë, ndërsa sigurimi social është një çështje tjetër dhe ju e dini që ka pasur shkëmbim të informacioneve në fillim të shtatorit në mes te delegacionit shtetëror të Kosovës dhe Zvicrës dhe ky proces vazhdon”, ka thënë Beglinger.
Me këtë marrëveshje bashkëpunimi, Zvicra riafirmon marrëdhëniet me Kosovën dhe posaçërisht përkushtimin për të përkrahur tranzicionin dhe zhvillimin e Kosovës drejt funksionimit të shtetit demokratik dhe ekonomi të qëndrueshëm.
Përqendrimi kryesor i mbështetjes së Zvicrës është gjithashtu ofrimi i përkrahjes për sundimin e ligjit, forcimin e qeverisjes lokale dhe proceset demokratike, zhvillimi i infrastrukturës, posaçërisht në fushën e furnizimit me ujë, përkrahja e sektorit privat dhe arsimimit profesional. /S. Shkodra/