Prishtinë, 26 tetor – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka informuar zyrtarisht deputetët me vendimin për ta kthyer në rishqyrtim strategjinë për privatizimin e PTK-së. Ky vendim ishte marrë nga kryekuvendari pesë ditë më parë, ndërsa deputetët e kuvendit ishin njoftuar këtë të hënë.
Vendimin për rikthim të strategjisë, Krasniqi nuk e kishte bazuar në mungesë të kuorumit për votim të saj në seancën e kaluar, por me qëllim të arritjes së një konsensusi me grupet parlamentare për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike.
“Sot kemi marrë propozimin e kryetarit të Kuvendit që strategjia për privatizimin e PTK-së të kthehet në rishqyrtim në kuvend”, tha të hënën deputetja e AKR-së, Myzejene Selmani.
Strategjia për privatizimin e PTK-së ishte miratuar më 14 tetor me konteste procedurale të Kuvendit të Kosovës dhe një ditë më pas kishte vendosur të mos e nënshkruante vendimin për miratim për të mos ia lënë barrën e këtij procesi vetëm PDK-së. Kryetari Krasniqi ka reflektuar në këtë mënyrë pas kritikave të LDK-së, opozitës dhe një pjese të shoqërisë civile, lidhur me procedurat e ndjekura gjatë miratimit të Strategjisë për privatizimin e PTK-së të sjell nga Qeveria.
Miratimi i strategjisë në këtë mënyrë kishte qenë një pretekst më shumë që Lidhja Demokratike të largohej nga koalicioni duke i tërhequr të gjithë ministra dhe zëvendësministrat nga Qeveria.
Për procedurat e parregullta të votimit, deputeti i LDD-së, Gani Geci, tashmë ka ngritur çështjen e vendimit të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese. Para ngritjes së kësaj çështjeje në Kushtetuese, Geci pati thënë se është i gatshëm që ta pezullojë nismën e tij, vetëm në rast se kryetari i Kuvendit, del me vendim zyrtar se e ka pezulluar vendimin paraprak. Por, sipas Gecit, tashmë është vonë për të rikthyer çështjen.
“Vendimin për rikthimin e strategjisë në Kuvend e kemi marrë sot, ndërsa unë çështjen e kam dërguar më herët”, ka thënë Geci.
Deputetët nuk janë njoftuar se kur do të rishqyrtohet strategjia. Geci nuk pret që ajo të bëhet brenda këtij mandati.
“Ne nuk jemi kundër privatizimit. Por tani kemi një situatë tjetër dhe duhet shikuar se kur është koha më e mirë për rishikim të strategjisë. Duhet të ketë konsensus, të diskutohet për çmimin, të shikohet nëse ka mundësi të negociohet politikisht shitja e saj, siç është rasti në Kroaci apo të shitet me çmimin që përcaktohet për kokë të konsumatorit e që për mendimin tim do të arrinte vlerën e 1 miliard eurove e jo siç është vlerësuar nga Qeveria të jetë 300 milionë”, është shprehur Geci.
Ai thotë se duhet të diskutohet edhe përqindja e aksioneve që do të shiten, kërkesë kjo e shumë partive politike.
Kryesia e Kuvendit pritet të mblidhet sot (e martë) dhe aty mund të merret vendimi për diskutim të strategjisë në këtë mandat të deputetëve apo në tjetrin që pritet të konstituohet vitin e ardhshëm pas zgjedhjeve të parakohshme.