Klinë, 18 Nëntor - Serbët e Komunës së Klinës kanë paralajmëruar se do të dalin në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit. Kjo është konfirmuar nga Millorad Sharkoviq, shef i Zyrës Lokale të Komuniteteve në Komunë, si dhe nga punëtori tjetër i kësaj Zyre, Ranko Kostiq. Sharkoviq i ka thënë gazetës të enjten se ekziston disponim i mirë i serbëve që të dalin në zgjedhje dhe se vetë ai është në listën e kandidateve për deputet të mundshëm në Parlamentin e Kosovës, nga radhët e Partisë Liberale Serbe. “Po, unë jam kandidat i PLS-së, serbët do të marrin pjesë në zgjedhje”, ka thënë
Sharkoviq.
Edhe Ranko Kostiq ka thënë se serbët do të marrin pjesë në këto zgjedhje, pavarësisht zërave që vijnë nga Beogradi për mos pjesëmarrje. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara lokale, ku asnjë serb nuk kishte dalë për të votuar dhe nuk kishin deleguar asnjë anëtar të Komisionit në KKZ, sivjet ata kanë dërguar anëtarët e tyre në Komisonin Komunal Zgjedhor. Skender Veselaj, shef i KKZ-së në Klinë, pohoi se serbët kanë dërguar një anëtar në KKZ dhe një trajnues, kurse pritet që në komisionet zgjedhore të jene dhe 7 serbë të tjerë, të cilët do të përkujdesen për procesin e votimit në qendrat e votimit të serbëve të komunës së Klinës. Ata do të kenë mundësi të votojnë në qendrën e votimit në
Videjë dhe Bingjë, që është paraparë të hapen me 12 dhjetor.
Në listat zgjedhore, që akoma nuk janë përfundimtare, të drejtë vote kanë rreth 600 serbë
të kthyer në Klinë. Veselaj theksoi se nëse është e nevojshme do të ketë edhe ekipe mobile në ndonjë fshat. Vitin e kaluar qendrat e votimit në Videjë dhe Bingjë nuk ishin hapur fare, por ishin dërguar ekipet mobile të cilat kanë qëndruar për disa ore, por asnjë qytetar serb nuk ka votuar. Vlen të përmendet se në këto zgjedhje nuk ka aplikuar asnjë subjekt serb nga Klina, por ata janë të grumbulluar rreth PLS-së.
Për me tepër, në KKZ është atmosfere pune dhe aty të enjten ishte edhe anëtari serb, i cili ka preferuar që për momentin të mos i përmendet emri në gazetë.
Veselaj tha se në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar të drejte vote në këtë komunë kanë pasur 36 576 votues, ndërsa sipas një kalkulimi të bërë nga KKZ, sivjet do të ketë afër
1 500 votës të rinj.
Ndryshe, qytetarët e Klinës me të drejtë vote do të kenë mundësi që ndër deputetë të cilët gjenen nëpër lista të subjekteve të ndryshme politike, të zgjedhin 11 kandidatë nga komuna e tyre. Deri tash, dihet se kandidatët e LDK-së janë Ramë Manaj, Anton Kola dhe Vezire Elshani, të PDK-së Berat Buzhala dhe Blerta Maliqaj, të cilët nuk janë propozime të degës së Klinës por të nivelit qendror, pastaj të AAK-së, Enver Berisha, Sali Ibishi e Gjokë Lleshi, Ilir Dushi nga radhët e AKR-së, Arben Limani i LDD-së dhe se fundi Millorad Sharkoviq i PLS-së.