Pak orë na ndajnë nga fillimi i supersfidës planetare Barcelona – Real Madrid, apo siç nijhet ndryshe si El Classico. Padyshim, sfida të tilla me histori të mëdha sikurse që është kjo, janë gjithmonë të paparashikueshme dhe duan një trajtim të veçantë tekniko-taktik nga vetë palët e përfshira. Sidoqoftë, që tifozët e të dyja taboreve ta kenë më të lehtë kuptimin e anës taktike
Mënyra se si Barcelona mund ta mposhtë Real Madridin
Lionel Messi
Është e pamundur të mos dimë se çfarë impakti mund të ketë Barcelona nëse qëndron i lirë Lionel Messi. Superyllit argjentinas duhet t’i lejohet hyrja në duel me Xabi Alonson dhe Sami Khediran, në mënyrë që të krijojë hapësira para mbrojtjes gjiganteske madrilene për bashkëlojtarët Xavi dhe Iniesta, të cilët ia servojnë pikërisht argjentinasit pasimin e nevojshëm në pjatë për të shënuar gol.
Është ky një koncept shumë i thjeshtë, i cili është dëshmuar të jetë kompleks për t’u shkatërruar, ndërsa dihet mjaft mirë se këtë e bëri vetëm Interi me në krye tashmë trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho. Messi nuk ka shënuar kurrë ndaj ekipeve të drejtuara nga portugezi Mourinho dhe kjo mund të jetë mundësia për ta thyer tabunë. Messi është i paparashikueshëm, impulsiviteti dhe kreativiteti i tij janë fundamentalë për zhbllokimin e kësaj sfide.
Zgjerimi në fushë
Real Madridi do të vijë në Camp Nou me instruksione strikte për të qëndruar në radhitje të mirë në transformimet fillëstare në fushë, për t’u lejuar Blaugranëve pak kohë në top, ndërsa kur ekipi i Gaurdiolas të hyjë në pjesën e tretë të fushës së Realit, atëherë do të bëhet presion në ta dhe do të mbyllen hapësirat.
Reali do të vë përpara Khediran edhe Alonson për të shkatërruar aksionet e Messis dhe Iniestas, ashtu si për të ndërprerë pasimet legjendare të një mjeshtri si Xavi. Kështu, mesfusha e Barcelonës do të jetë totalisht e bllokuar. Për këtë arsye, Blaugranët duhet të hapen në krah për të prishur radhitjen në mbrojtjen e Real Madridit dhe për të krijuar kështu hapësira për gjenitë si Lionel Messi.
Kujdes nga kundërsulmet
Ky Real ka një katërshe sulmuese e cila mund të jetë tejet e rrezikshme në kundërsulme. Goli i Cristiano Ronaldos ndaj Athletic Bilbaos nga java e 12-të ishte një shembull i qartë i shpejtësisë në kundërsulme, pasi që aksioni lindi nga një korner i mysafirëve, ndërsa me tri pasime Ronaldo erdhi deri te goli. Ata janë të qëndrueshëm, konkretë dhe kokçarës nëse nuk mbulohen si duhet (Ozil, Di Maria dhe natyrisht Ronaldo).
Pep Guardiola e di mjaft mirë se shpejtësia e madrilenëve mund të hapë mbrojtjen e skuadrës së tij. Nëse Dani Alves dhe Maxwell luajnë në këtë sfidë, atëherë vetëm Sergio Busquets do të jetë në mesfushën defensive. Guardiola nuk e ka ndërmend të devijojë nga filozofia e tij sulmuese, duke rreshtuar një mbrojtje mjaft të disiplinuar, e cila do të ketë detyrë për të ndalur një sulm të rrufeshëm të Los Blancos.
Testoni debutantët
Prej 11 futbollistëve që pritet të startojnë të hënën, vetëm David Villa do ta përjetojë atmosferën e El Classicos për herë të parë. Nga ana tjetër, katër njerëz në të bardhë – Ozil, Khedira, Di Maria dhe Carvalho do të pritet që të reagojnë me spontanitet ndaj atmosferës së nxehtë e cila do të krijohet nga tifozët vendas.
Carvalho është 32 vjeçar dhe ndoshta është mësuar me impiante të tilla, por për të rinjtë e tjerë të Real Madridit, atmosfera mund të jetë vrasëse. Të mos harrojmë, Reali ka një ekip me moshën mesatare më të ulët në La Liga dhe përderisa kjo sjell cilësi dhe potencial pa kufi, kjo sjell poashtu mungesë të përvojës, e cila është esenciale për këto sfida të dhunshme për nervat.
Filozofia
Filozofia e Barcelonës e bazuar në posedim të topit, e cila ka qenë aq e suksesshme si për katalanasit ashtu dhe për ekipin kombëtar spanjoll, mund të jetë mënyra e përkryer për të ç’orientuar Real Madridin, i cili nuk është një ekip nga rangu i dytë dhe i cili natyrisht kërkon kujdes të veçantë.
Nuk ekziston nevoja për golin e përkryer në El Classico, ashtu siç bën ky ekip në çdo ndeshje në të cilën hyn në fushë. Ata duhet ta testojnë më shpesh Iker Casillasin dhe ta rrezikojnë golin kurdoherë që është e mundur. Ekziston gjithmonë momenti që e përcakton ndeshjen, prandaj Barcelona duhet ta shfrytëzojë të vetmin rast që do t’i tregohet.
Mënyra se si Real Madridi mund ta mposhtë Barcelonën
Ndaleni Lionel Messin
Barcelona nuk varet totalisht nga Lionel Messi, por nuk është i njëjti ekip pa të. Messi krijon gola dhe i shënon ato, goli i tij në mesjavë ndaj Panathinaikos e tregoi më mirë se çfarë roli ka ai në ekipin e Pep Guardiolas.
Që Real Madridi të shkatërrojë sulmin e Barcelonës, duhet që medoemos ta ndalë Messin. Për këtë nuk është e thënë që të shkaktohen vazhdimisht ndërhyrje në argjentinasin, një taktikë e përdorur kjo në të kaluarën, por pa sukses, ndërsa tani Los Blancos duhet t’i lexojnë topat që do të shkojnë në drejtim të tij.
Messi nuk mund të mbahet nga një lojtar për 90 minuta, por nëse do të përballet me duele nga fillimi i takimit dhe nëse do të dëbohet në pjesët e gjera të fushës, atëherë Barcelona jo vetëm që do ta humbë njeriun kryesor në sulm, por do ta humbë komplet ndeshjen.
Vijë e gjatë e mbrojtjes
Nëse lejoni që Barcelona të vijë te ju, atëherë ata do ta bëjnë atë, do të vijnë te ju. Barcelona është më e akomoduar në top se çdo ekip tjetër në planet dhe ata e posedojnë virtytin e të qenit të durueshëm në të. Nuk është mençuri të ftoni një luan në shtëpinë tuaj dhe më pas të luftoni me të, është më mirë të aranzhoni një betejë jashtë saj.
E ajo është aplikimi i një mbrojtje të gjatë nga Real Madridi. Qendërmbrojtësit Carvalho dhe Pepe janë dy prej më të mirëve në këtë aspekt dhe nëse shohim disiplinën e krijuar së fundmi në mentalitetin e Sergio Ramos dhe Marcelos, atëherë mund të presim një mbrojtje kompakte madrilene.
Atakoni Sergio Busquets
Mourinho do të shfrytëzojë një sistem prej dy mesfushorëve defensivë me Sami Khediran dhe Xabi Alonson, të cilët do të jenë vendimtarë në këtë sfidë. Nëse këta arrijnë që të bllokojnë Sergio Busquetsin dhe të lejojnë Mesut Ozilin të hyjë në duele me reprezentuesin spanjoll, atëherë mbrojtja e Barcelonës do të jetë tejet e ekspozuar.
Nëse ndodh kjo, atëherë Guardiola do të përballej me telashe të mëdha, pasi që Ronaldo do të kishte hapësirë të mjaftueshme për të bërë shaka me Gerard Piquen. Për të parandaluar këtë, Pep do të kthente në qendër të fushës Xavin dhe Iniestan për t’i ndihmuar Busquetsit, që natyrisht do t’i përshtatej Realit që në mbrojtje do të kishte të bënte me një sulmues më pak – Xavin.
Shfrytëzoni çdo rast
Nëse dikush thotë se Real Madridi e humbi El Classicon në Camp Nou sezonin e kaluar, e nga ana tjetër Barcelona nuk e fitoi atë, atëherë ai nuk do të ishte larg prej të vërtetës. Para së gjithash, Ronaldo nuk konkretizoi një rast tejet të volitshëm pas 19 minutash lojë, kur Kaka e vuri përpara portierit Valdes.
Nga ana tjetër, i tillë nuk ishte Zlatan Ibrahimovic i cili realizoi një gol të shkëlqyer në fillim të pjesës së dytë, por po që se Ronaldo do të kishte shënuar, atëherë Reali do të fitonte në Camp Nou. Mësimi nga kjo është se duhet të shfrytëzoni më të voglin rast ndaj Barcelonës. Gonzalo Higuain dhe Cristiano Ronaldo, kanë treguar formë të shkëlqyer javëve të fundit, ndërsa duhet të jenë shumë konkret të hënën. Ekziston rreziku që Ronaldo të shpërthejë dhe ta përfundojë vet ndeshjen.
Shfrytëzoni shpejtësinë dhe kundërsulmet
Barcelona mund ta luajë futbollin më të kënaqshëm dhe më të bukur për syrin, por Reali është një prej atyre ekipeve me shpejtësinë më të madhe dhe me rrezikun më të madh në kundërsulme. Ronaldo në fluturim të plotë është i pandalshëm dhe katërshja e Realit – Ronaldo, Di Maria, Ozil dhe Higuain – është padyshim më e shpejta në Evropë për momentin.
Për Barcelonën e cila është alergjike në kundërsulme, kjo do të jetë shkatërruese. Mbrojtja e Barcelonës ka shfaqur dobësi këtë sezon dhe me Daniel Alvesin që pritet të luajë më shumë në sulm ashtu si Maxwelli, Reali ka rastin ideal për të vënë në telashe të mëdha qendërmbrojtësit Pique dhe Puyol kur të vërsulen në kundërsulm. Për më shumë, një sistem me një mesfushor defensiv si Sergio Busquets vetëm sa do t’i përshtatej Realit, i cili mund të ndajë në gjysmë Barcën.