Prishtinë, 25 maj - “Duhet gjetur zgjidhje për përfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave. Banorët e Kosovës nuk duhet të diskriminohen, por shumëçka varet nga autoritetet e Prishtinës”, tha në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën, raportuesja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon. Sipas saj kërkohen përpjekje edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
E pyetur fillimisht se çfarë mund të presin vendet e rajonit nga konferenca e Sarajevës, më 2 qershor, Fajon tha se “është shumë e rëndësishme për bashkëpunimin rajonal që vendet përfundimisht të jenë të gatshme të bisedojnë me njëra- tjetrën dhe ta forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe politik, por çka është më e rëndësishme edhe kontaktet ndërmjet njerëzve”. Ajo tha se kjo konferencë do të ketë më shumë rezultate simbolik dhe kjo është për shkak të pranisë aty të ministrave të jashtëm të rajonit dhe të Bashkimit Evropian për të diskutuar çështje që janë të rëndësisë së madhe për qytetarët e rajonit. Natyrisht, pak ditë përpara ne të gjithë po presim një vendim të Komisionit Evropian rreth liberalizimit të vizave dhe mendoj se ministrat do të jenë në gjendje të diskutojnë rreth hapave të ardhshëm të vendeve në rajon, në këtë rast për Bosnje e Hercegovinën dhe Shqipërinë, por natyrisht edhe sa i përket Kosovës ata duhet të shikojnë se kur njerëzit e këtij vendi do të kenë mundësinë të udhëtojnë lirshëm në territorin e Bashkimit Evropian.
E pyetur nëse ka rrezik që në muajt e ardhshëm Kosova të mbetet i vetmi vend i rajonit jashtë liberalizimit të vizave, raportuesja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, u shpreh se “jam e shqetësuar me faktin se Kosova është lënë jashtë këtij procesi. Kërkesat që duhet plotësuar u janë propozuar gjithë banorëve, përfshirë edhe atyre me shtetësi serbe, pa përmendur ndonjë proces që mundësisht do të çonte në përmbushjen e këtyre kërkesave. E dimë se shtetet anëtare të BE-së aktualisht nuk pajtohen rreth çështjes së pavarësisë së Kosovës, por mendoj se është shumë e rëndësishme që Kosova ta marrë udhëzuesin për vizat, por më duhet të them se shumica e punës varet nga autoritetet e Kosovës, është në duart e politikanëve të përgjegjshëm në Kosovë që t’i angazhojnë të gjitha pjesët e shoqërisë në Kosovë për të punuar në rrugën drejt integrimit evropian. Kërkohen të bëhen shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe mendoj se është shumë e domosdoshme që Kosova ta marrë shumë seriozisht angazhimin e vet kur bëhet fjalë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”.
Në vazhdim ajo rikujtoi pasojat e mungesës së liberalizimit të vizave për kosovarët. Siç i tha ajo Radio Kosovës, Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të interesuara, por edhe Parlamenti Evropian,janë duke e bërë më të mirën e tyre që ta përfshijnë Kosovën në dialogun e liberalizimit të vizave sa më shpejt që të jetë e mundur. E di se ka disa çështje të hapura, do të ketë disa misione që do ta vizitojnë Kosovën në fillim të qershorit, është një Ligj për Riatdhesimin, i cili është shumë i rëndësishëm për momentin për Kosovën. Është e rëndësishme për autoritetet e Kosovës që të punojnë shumë dhe pastaj unë jam e sigurt se Komisioni Evropian dhe institucionet shumë shpejt do ta gjejnë një rrugë se si ta angazhojnë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Unë jam e bindur se Kosovës i duhet udhërrëfyesi për vizat dhe asaj i duhet dhënë mundësia t’i implemetojë të njëjtat reforma që i kanë implementuar pesë shtetet tjera të rajonit. Natyrisht që kjo do të kontribuojë në sigurinë e saj por edhe të tërë rajonit dhe të BE-së. Atëherë kur Kosova t’i plotësojë këto kushte, që janë të gjata dhe shumë kërkuese, regjimi i vizave duhet të largohet.
Duke rikujtuar se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet i pavarur, Fajon shtoi se është shumë e rëndësishme që të gjenden zgjidhje për përfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave. Së dyti, nuk duhet të ketë diskriminim ndaj banorëve të Kosovës. Është shumë e rëndësishme të dihet se rreth 3.5 milionë serbë që jetojnë jashtë Serbisë do të jenë në gjendje të marrin pasaportat e Serbisë, ndërsa banorët e Kosovës nuk do të mund të bëjnë njëjtë. Unë nuk pajtohem me gjëra të tilla. Mendoj se në këtë formë serbët e Kosovës do të inkurajohen që të rivendosen jashtë Kosovës, ashtu si ka filluar të ndodh dhe kjo është në kundërthënie me objektivat e Bashkimit Evropian. Megjithatë, mendoj se është shumë e rëndësishme që Kosova të përfshihet sa më parë dhe autoritetet të punojnë në përmbushjen e detyrave të caktuara nga Bashkimi Evropian.
Tanja Fajon po ashtu ka shfaqur bindjen se “EULEKS-i ka nevojë për bashkëpunimin e autoriteteve lokale. Synimi është që të bëhet një shtet dhe Kosovë demokratike. Mendoj se EULEKS-i duhet të mbetet atje dhe të garantojë sigurinë e njerëzve që jetojnë në Kosovë”. Ndërkaq duke iu përgjigjur një pyetjeje për zgjedhjet e paralajmëruara serbe në Kosovë, ajo rikujtoi deklarimet e vazhdueshme të përfaqësuesit të BE-së për veriun e Kosovës se “BE-ja nuk do të njohë strukturat që dalin nga zgjedhjet lokale të organizuara nga Serbia. Kjo është çështja dhe këto zgjedhje nuk mund të konsiderohen legale në Kosovë. Kjo duhet të jetë e qartë. Bashkimi Evropian është kundër gjithçkaje që mbështet aksionet e ndonjë strukture ilegale. Është e domosdoshme të gjenden zgjidhje të duhura dhe të punohet bashkërisht për të mirën e njerëzve në Kosovë”, i ka thënë ajo Radio Kosovës