Nëse mes politikanëve kryesorë të tre etniteteve në Bosnjë e Hercegovinë ekziston konsensus për të vetmen çështje atëherë padyshim se kjo është - mosnjohja e Kosovës. Arsye për këtë, e pranojnë të gjithë në Sarajevë, është qëndrimi negativ i politikanëve serbë në Banja Llukë, qendër administrative e Republika Serpskës.
"Ne nuk e kemi pasur kurrë në rendin e ditës njohjen e Kosovës, për shkak se në përbërjen që kemi ne, njohja e Kosovës nuk do të ishte e mundur", thotë për BBC-në Haris Silajdzic, kryesues i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.
Këtë e konfirmojnë edhe politikanë të tjerë. Sulejman Tihiq, kryetar i partisë së Veprimit Demokratik, SDA, rikujton se sa i përket Kosovës, mungon konsensusi i përgjithshëm: "Për këtë duhet të ekzistojë konsensus i brendshëm, ndryshe edhe sipas Kushtetutës nuk mund të bëhet asgjë. Tani për tani këtë e kundërshtojnë serbët në Republika Serpska dhe me siguri se Bosnja e Hercegovina do të presë zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve si dhe në Serbi".
Kryetari i Parlamentit të Republika Serpskës, Igor Radojicic, duke argumentuar kundërshtimin e njohjes, përsërit qëndrimin serb se shpallja e saj ishte precedent ndërkombëtar: "Falë këtij qëndrimi të Banja Llukës edhe Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës", thotë ai.
Edhe Zlatko Lagundzija, kryetar i Partisë Socialdemokrate përsërit se për të njohur Kosovën duhet konsensus i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës që, sipas Marrëveshjes së Dejtonit, përbëhet nga tre veta, një boshnjak, një, kroat dhe një serb.
Fahrudin Radoncic, një gazetar i njohur në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në vitet nëntëdhjetë, sot pronar i disa mediave të shkruara e elektronike, prej para një viti ka formuar Partinë për Ardhmërinë më të mirë të Bosnjë e Hercegovinës. Njohja e Kosovës, thotë ai, nuk është çështje personale e as emotive, por thellësisht politike. Duhet të jetë punë procesi e jo e vendimeve të shpejta e të pamatura:
Zëvendës-përfaqësuesi i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë, Raff Gregorian, thotë se kur është fjala për Kosovën, për këtë nuk duhet t'i bëhet presion Bosnjës në këtë kohë, sepse ajo ka mjaft probleme të brendshme:
Ndërkaq, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe ata vendorë në Sarajevë janë të mendimit se pikërisht për shkak të raporteve të tensionuara serbo-boshnjake dhe atyre shqiptaro-serbe, për shkak të qetësisë së brendshme, politika boshnjake edhe për një kohë do të ndjekë kursin aktual, mirëpo të gjithë pajtohen se çështja e njohjes së dokumenteve të udhëtimit apo dhe e depërtimit të mallrave nga Kosova, do të zgjidhet konform standardeve të Bashkimit Evropian ku mëtojnë të përfshihen të gjitha vendet e rajonit. /Marrë me shkurtime nga BBC/