Prishtinë, 22 tetor – E diela e tretë e dhjetorit është dita të cilën presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, ua ka përmendur të enjten përfaqësuesve të partive parlamentare si të preferuarën nga ai për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Javën e shkuar Krasniqi ka dekretuar 13 shkurtin e 2011-s datë të zgjedhjeve. Pritet ta ndërrojë këtë, pasi LDK-ja e Fatmir Sejdiut të nesërmen kur u bë e njohur data vendosi të dilte nga koalicioni qeverisës, duke i lënë PDK-në dhe disa parti të vogla në pushtet e pa shumicë në Kuvend.
Me kryetarë të grupeve parlamentare dhe me anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi ka pasur një drekë pune në restorantin e Kuvendit, e cila nuk ka qenë e hapur për media. Në të ua ka përmendur 19 dhjetorin si datë të re të zgjedhjeve. Sipas burimeve të gazetës brenda këtij takimi, i pari që është shprehur pro kësaj ka qenë Nexhat Daci, kryetar i partisë opozitare LDD.
“Ndonëse takimi ishte joformal, zoti Krasniqi ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme. Ka thënë se opsioni më i mirë do të ishte të shkohej në zgjedhje më 19 dhjetor dhe ka lutur pjesëmarrësit në drekë të deklaroheshin”, i ka thënë “Kohës Ditore” një nga pjesëmarrësit në këtë drekë pune. “Zoti Daci ishte ai që e mbështeti menjëherë”.
Gazeta nuk ka mundur të kontaktonte anëtarë të kabinetit të presidentit në detyrë për të konfirmuar këtë, por në LDD kanë konfirmuar se e mbështesin këtë datë.
Zyrtarisht asnjë pjesëmarrës në takim nuk ka folur për këtë datë.
Naim Maloku i AAK-së ka thënë të ketë kërkuar që PDK-ja dhe LDK-ja ta gjejnë formulën e zgjidhjes, meqë janë ato që kanë shkaktuar krizën.
Ibrahim Makolli i AKR-së, ndërkaq, ka gjykuar se e vetmja rrugë që ka mbetur është shpërbërja e Kuvendit dhe caktimi i datës së re të zgjedhjeve.
“Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që kriza në vend të përfundojë sa më shpejt. Për fat të keq, qysh janë krijuar rrethanat, unë për vete nuk shoh ndonjë dalje tjetër prej kësaj krize, sepse me e lanë vendin kështu edhe pesë muaj është përgjegjësi bukur e madhe”, ka theksuar Makolli. “Nëse dikush ka ndonjë ide se qysh del prej krize vendi, do të ishte mirë me na e thanë, por tash për tash e shoh të vetmen zgjedhjet e jashtëzakonshme”.
Dekretimi i datës së re nga presidenti në detyrë lidhet me shpërndarjen e Kuvendit. Për të mbërritur tek kjo pritet të ngrihet mocion mosbesimi për Qeverinë.
“Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti i Republikës së Kosovës pas votimit të
suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”, precizon Kushtetuta. Sipas Kushtetutës, data e zgjedhjeve nuk do të ishte më e largët se 40 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit.
Burime të gazetës në Kuvend kanë thënë se shpërbërja e Kuvendit nuk mund të bëhet para 10 nëntorit. Kjo, për t’i dhënë sa më shumë kohë KQZ-së që të përgatitet për zgjedhje dhe Kuvendit për të miratuar disa ligje me urgjencë, përfshirë edhe amendamentet e Ligjit për zgjedhje të përgjithshme.
“Ka një konsensus që tani, që në zgjedhje të mos shkohet pa u bërë reformat zgjedhore. Që në javën e ardhshme ndryshimet ligjore mund të kalojnë në leximin e parë, dhe shumë shpejt ne mund ta kemi ligjin e ri për zgjedhje”, ka thënë një zyrtar i Kuvendit në kushte anonimiteti. “Janë disa ligje që duhet miratuar, por jo edhe Ligji për buxhet dhe Strategjia për privatizimin e PTK-së. Këto do t’i lihen legjislaturës që do të dalë nga zgjedhjet e reja”, ka shtuar ai.